PËR BOTIMIN KRITIK TË KËNKËS SË SPRASËME TË BALLËS: SHËNIME FILOLOGJIKE PARAPRAKE
On The Critical Publication of Kënka E Sprasëme E Ballës (The Last Song Of Bala): Preliminary Philological Notes
Author(s): Matteo MandaláSubject(s): Language and Literature Studies
Published by: Qendra e Studimeve Albanologjike
Keywords: Critical Publication ; Kënka E Sprasëme E Ballës ;The Last Song Of Bala; Preliminary Philological Notes ; Albania; Albanian Language; Albanian Literature
Summary/Abstract: 1.1.– Ndër veprat kryesore të periudhës së Rilindjes, bën pjesë, pa dyshim, edhe Kënka e sprasëme e Ballës, poema epiko-lirike me të cilën Gavril Dara i Riu e lidhi emrin e tij me historinë e letërsisë shqipe. Në të vërtetë kjo poemë gjatë këtyre pesëdhjetë viteve të fundit ka qenë në qendër të vëmendjes së kritikës. Po të mbajmë parasysh, qoftë edhe vetëm nga pikëpamja sasiore, studimet kritike1 dhe botimet e shumta që ka njohur, ajo zë vendin e dytë pas kryeveprës së De Radës “Këngët e Milosaut”. Në fakt poema e Darës mbetet një nga veprat më të studiuara e më të çmuara të romantizmit arbëresh në Shqipëri, e pranishme në tekstet e të gjitha niveleve shkollore. Ky është një privilegj që nuk e gëzojnë të gjitha veprat e autorëve arbëreshë, si fjala vjen ato të Zef Skiroit, e që sot shtron nevojën e një botimi kritik më të përshtatshëm e më të plotë se ato të derisotmit, ku të përfshihen të gjitha variantet dorëshkrim qoftë të autorit, qoftë edhe të atyre, që duke pasur në duar tekstet autografe, u përpoqën të përgatisin një botim të shtypur. Botuar në vitin 19062, pas botimit të pjesshëm në faqet e revistës La Nazione Albanese, poema e Darës u vu menjëherë në qendër të debatit kritiko-letrar. Gjithsesi, diskutimet nuk u përqendruan në vlerën artistike të veprës apo në aspektet gjuhësore, sikundër do të ishte normale, por u morën më shumë me çështje të veçanta, të cilat, së bashku me të dhënat e pakta bio-bibliografike mbi autorin, hapin para nesh një gamë problemesh që përfshijnë zanafillën e veprës, origjinalitetin e saj, autorësinë dhe, sigurisht, rindërtimin e historisë së shkrimit të saj deri në botimin e parë.
Journal: Studime Filologjike
- Issue Year: 2006
- Issue No: 03-04
- Page Range: 005-034
- Page Count: 30
- Language: Albanian