Albanian gold in diplomatic labyrinths Cover Image

Ari shqiptar në labirintet diplomatike
Albanian gold in diplomatic labyrinths

Author(s): Ksenofon Krisafi
Subject(s): National Economy, Diplomatic history, Political history, Socio-Economic Research
Published by: Shtëpia botuese “UET Press”
Keywords: Albanian gold; diplomacy;

Summary/Abstract: Rikthimi i rezervës së ish Bankës Kombëtare të Shqipërisë u vlerësua si një ndër çështjet që duhet të trajtohej me përparësi nga ana e diplomacisë shqiptare qysh në ditët e para pas çlirimit të vendit ishte. Politika dhe diplomacia e qeverisë së Shqipërisë së porsadalë nga lufta do të angazhoheshin për një kohë gati gjysëmshekullore për trajtimin e këtij problemi me karakter ekonomiko-financiar, por me rëndësi të veçantë. Rikthimi i rezervës së saj në ar, apo arit shqiptar, siç ka hyrë në historinë e diplomacisë shqiptare, imponohej si imperativ për rifillimin nga puna të Bankës Kombëtare të Shqipërisë si dhe për garantimin e veprimtarisë normale të këtij institucioni të rëndësishëm bankar. Në kundërshtim me përcaktimet e Statutit të saj, ajo ishte transferuar nga Tirana në Romë. Përpjekjet për kthimin e arit shqiptar ishin pjesë e tratativave të shumta për zgjidhjen e problemeve të shkaktuara nga pushtimi fashist i Shqipërisë prej fuqive të Boshtit, gjatë Luftës se Dytë Botërore. Çështja e rikthimit të arit të grabitur, mund të konsiderohet si një ndër kapitujt e rëndësishëm të historisë moderne të diplomacisë shqiptare. Për faktin që formalisht ngërthente një numër elementësh të karakterit teknik, ajo u përdor si kanal i favorshëm komunikimi me faktorët ndërkombëtarë vendimmarrës të kohës, duke synuar ndërkohë të kontribuonte në thyerjen e izolimit të Shqipërisë. Nëpërmjet pjesëmarrjes në diskutime në forume ndërkombëtare, furnizimit të dokumentacionit provues, parashtrimit dhe argumentimit të pozitës dhe të pretendimeve të saj, diplomacia e shtetit shqiptar të pasluftës përpiqej të afirmonte ekzistencën e tij normale dhe të jepte imazhet e personalitetit të një subjekti që përmbushte kriteret e domosdoshëm politikë e juridikë. Ari shqiptar, për të cilin flitet në vijim të këtij shkrimi, u mor në fillim nga autoritetet fashiste italiane dhe në vijim nga autoritetet ushtarake të Gjermanisë naziste. Ai nuk ishte ari i ish familjes mbretërore, të Ahmet Zogut, sikurse mendohet ngandonjëherë gabimisht. Ari ishte produkt i natyrshëm i veprimtarisë së zakonshme të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, aktiviteti i së cilës nisi në vjeshtën e vitit 1925.1 Ishte kapitalizimi i punës dhe i sakrificave, i kursimeve dhe i privacioneve të shumë brezave të popullit shqiptar. Banka, nëpërmjet politikave që adoptoi, tërhoqi në depozitat e saj sasira të konsiderueshme ari e monedhash që ndodheshin e përdoreshin në tregun shqiptar përpara fillimit të veprimtarisë, grumbulloi objekte zbukurimi e prodhime të tjera metalesh me vlerë, ar, argjend e platin, si dhe mblodhi valutën që dërgonin në atdhe shqiptarët e mërguar. Kjo rezervë arrinte së paku në 8.062. 827 fr. ari.2 Rikthimi i arit shqiptar, për të cilën do të flitet me hollësi në faqet vijuese, u bë objekt diskutimesh në Konferencën e Paqes në Paris, 1946, u pasqyrua në dispozitat e Traktatit të Paqes me Italinë, vazhdoi të trajtohej më tej me palën italiane, me palën britanike dhe u shqyrtua nga një varg institucionesh të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë arbitrazhin ndërkombëtar dhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

  • Issue Year: 7/2011
  • Issue No: 1
  • Page Range: 73-94
  • Page Count: 22
  • Language: Albanian
Toggle Accessibility Mode